“Alo Dedë”- Historia e filmit të famshëm, rrëfehet djali i Dedës së vërtetë: Rikard Ljarja erdhi krushk në dasmën e vëllait, u bë mik…

Të gjithëve na jehon në vesh dhe madje e kemi kthyer në batutë frazën e famshme të filmit “Rrugë të bardha” ‘Alo Dedë a më dëgjon’?

Mbase pak e dinë që kjo histori është e vërtetë, një fillrojtës në malet e fshatin Domgjon në Mirditë mbeti vërtet në shtyllë dhe nuk u kthye dot në shtëpi në mbrëmjen e 31 dhjetorit të viti 1966.

Ai çast e rrëmbeu përgjithnjë asokohe 46-vjeçarin Pjetër Llesh Doda.
I biri, Zefi rrëfeu më shumë, për kujtimet e të atit dhe jetën pa të, më familjen me 5 fëmijë ku gjërat nuk qenë edhe aq të thjeshta.
“Ne nuk e mendonim që babai nuk do të kthehej një ditë në shtëpi prej asaj pune. Edhe mamaja ime që ia njihte vështirësitë nuk e imagjinonte”-rrëfen ai.

Zefi na tregon se kanë qenë vite të vështira por ai dhe familja kanë pasur ndihmën e vazhdueshme të xhaxhallarëve dhe njerëzve të tjerë të afërt.
Ai thotë se kanë pasur po ashtu ndihmën e shtetit, ndërsa kujton se ish-diktatori Enver Hoxha iu ka dërguar personalisht dy letra urimi për Vitin e Ri.

Kanë pak kujtime dhe foto nga babai por figurën e tij e kanë të gjallë në kujtesë dhe në përjetimet e tyre.
“Kur i dhanë babait titullin Hero i Punës Socialiste, mu duk sikur ma ringjallën”-thotë ai, ndërsa kujton se ky vlerësim për të atin e ka lumturuar shumë.

Filmi dedikuar figurës së të atit është një moment që ai e ruan si një prej gjërave të çmuara, madje na tregon se ka ruajtur miqësi ndër vite me aktorin Rikard Ljarja, i cili ishte nën petkun e Dedës në film.

Madje ai ka qenë krushk i parë në dasmën e vëllait të Zefit, një prej kujtimeve më të bukura që ata ruajnë si familje.
Një gjest i rrallë dhe i paçmueshëm nga ana e aktorit.

Një surprizë e veçantë për Zefin erdhi me anë të një video mesazhi nga piktori Mark Paci, autori i një skice pikturë të Pjetër Dodës që u përdor si imazh i pullave postare në vend, pas vdekjes së tij.