
Mësuesja e Matematikës, e cila u dhunua nga nxënësi i saj në klasë gjatë mësimdhënies, në gjimnazin “Hydajet Lezhë”, ka rrëfyer momentin kur 16-vjeçari e goditi me karrige.
Majlinda Palushi tregoi se pas debatit me nxënësin ka nisur të shkruajë në tabelë dhe pas rreth 5 minutash adoleshenti i gjuajti me hekurin e karriges pas shpine.
Mesuesja Palushi tregoi në emisionin “Me Zemër të Hapur” të moderatores Evis Ahmeti, se dëgjoi nxënësit duke ulëritur dhe kur u kthye, adoleshenti e goditi. Ajo thekosi se “do kisha rënë përtokë nëse s’do më kishte kapur nxënësi tjetër” dhe se pas dhunës nuk mban mend asgjë.
Ajo tregoi se nxënësin e ka falur pasi ia kërkoi xhaxhai i tij, por shtoi se nuk ia ka përmendur babain e vdekur në asnjë moment.
“Nëse do i kisha përmend babën do kishte reaguar në moment, kam shkuar në tabelë dhe jam marrë me nxënësit e tjerë. I thash; do shihemi në fund do e marrësh apo jo shkollë, dhe po të bëj be eshtrat e babit tim që kam në varr.
Më pas kam shkuar në tabelë, po të kisha thënë për babanë e tij do kishte reaguar në moment, pas 5 minutash kam dëgjuar nxënësit e tjerë duke ulërit, dhe kur u ktheva më ka rënë me karrige e hekurin në sup. Do kisha rënë përtokë nëse s’do më kishte kapur nxënësi tjetër. Nga ai moment nuk mbaj mend gjë, më kanë çuar në spital. Aty më ka ardh xhaxhai i tij dhe më ka kërkuar falje dhe të bëj deklaratë që e fal dhe ai të dalë nga burgu.
E kam bërë në darkë… xhaxhai i tij ka fol mashtrime më pas. Në asnjë video, në asnjë rast unë nuk kam përdorur dhunë, e vetmja fjalë që kam nxjerrë nga goja… mund të kem përdor fjalën ‘je kakareq i papjekur’, por jo ‘majmun’. Vajza që ka thënë se unë marr para, do ta denoncoj. Ti nuk e di presionin që ne kalojmë aty”, tha mësuesja.
Dhuna ndaj mësueses në klasë
Ngjarja ndodhi në orën 10:30 minuta, të së mërkurës (25 tetor) në ambientet e gjimnazit “Hydajet Lezhë” në Lezhë.
Mësuesja e matematikës, Majlinda Palushi, pësoi lëndime serioze në krahun e saj nga goditja me karrige dhe u dërgua në spital.
Sipas nxënësit 16-vjeçar, mësuesja është betuar duke përmendur të atin e tij që nuk jeton më se do e ngelte, gjë që sipas tij ka nxitur edhe reagimin e dhunshëm.
“Betohem për kockat e babait tim që më ka vdekur dhe babait tënd që është aty tek i imi që do të të ngel”, pretendon adoleshenti se i ka thënë mësuesja e tij./panorama.al