Katër djem nënash vdiqën në Gjermani, Tabaku: Ikën për një jetë më të mirë, ndërsa qeveria ndan sot milionat e buxhetit për koncesionet

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është e para politikane që reagon publikisht për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Hamburg të Gjermanisë, ku humbën jetën 4 punëtorë shqiptarë.

Tabaku shpreh keqardhjen për ngjarjen tronditëse, teksa shkruan në rrjetet sociale se katër djemtë e nënave shqiptare ikën të detyruar nga kushtet ekonomike ekstreme dhe për një jetë më të mirë.

Tabaku thotë se ndërkohë që një tragjedi kaq e madhe prek qytetarët, qeveria diskuton për ndarjen e milionave nga buxheti për kontrata koncesionare “kryekëput korruptive”.

Shqiptarët ishin duke punuar në të zezë në një zonë industriale të Hamburgut, teksa u shemb skela dhe një vinç duke i zënë poshtë.
Mesazhi i Tabakut:

I lehtë i qoftë dheu 4 djemve të nënave të këtij vendi që nuk u japin më gëzim familjeve të tyre

4 djem të nënave shqiptare, 4 baballarë a vëllezër humbën sot jetën duke punuar në një kompleks ndërtimi në Gjermani me leje të përkohshme pune, mbas një udhëtimi me peripeci, me punë të pasigurtë, 3 muaj këtu e 3 muaj atje për më shumë mundësi për familjet e tyre nga Mati e Dibra.

Askush nuk largohet me dëshirë nga familja, askush nuk lë fëmijët e prindërit me dëshirë kjo ndodh në kushte ekstreme varfërie, në kushte ekstreme ekonomike kjo ndodh nga pamundësia për të siguruar një jetë më të mirë për familjen këtu.

Ndërkohë që parlamenti duhet të diskutojë buxhetin, kur shikon miliona euro në kontrata koncesionare marramendëse të gjitha kryekëput korruptive, në ndërkohë shqiptarët janë të detyruar të largohen në kërkim të një jete më të mirë. Këtë kanë nevojë sot të dëgjojnë qytetarët se çfarë do bëjmë ne ndryshe, më mirë më shumë se si do e ndalojmë këtë largim masiv, se si do krijojmë punë e mundësi për të gjithë e jo pakicën! Kjo është beteja e opozitës.

One thought on “Katër djem nënash vdiqën në Gjermani, Tabaku: Ikën për një jetë më të mirë, ndërsa qeveria ndan sot milionat e buxhetit për koncesionet

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *