Vajza e Mirush Kabashit: Vuajti për 5 vite, por nuk hoqi dorë nga skena. Ai e donte jetën, por nuk ia doli

“E donte shumë jetën. Deri në fund e deshti shumë”. Kështu do e kujtojë vajza e tij aktorin e njohur Mirush Kabashi
Në një intervistë për Report Tv, Mendi Kabashi tregon përkushtimin e të atit për skenën e shenjtë dhe publikun

“Publikun e donte me gjithë zemër. I vlerësonte shumë njerëzit dhe iu dha 100% artit. Madje kishim dhe debate për këtë.
Sidomos pas sëmundjes për 5 vite që e luftoi shumë fort, vijonte të dilte në skenë.

Mirushi nuk ka dashur kurrë të bëhet bajat. Përzgjidhte skenat ku do të intepretonte me parimet e vlerat e tij.
Një njeri që do na mungojë të gjithëve, na ka lënë pasuri të madhe”, tregon ajo.

Si ishte Mirush Kabashi si baba?
“Mirushi nuk ishte i kafeneve, as i lokaleve. Ishte me Lolën (bashkëshorten) përkrah duke bërë ecje.

Qeshte me sy e fliste me zemër. Mësonte dhe na mësonte. Ishte i hapur për biseda.
Unë e kam pasur shumë shok e baba. Do më mungojnë pafundësisht bisedat e tij. Të dëgjonte.
Njerëzit sot kanë harruar të dëgjojnë”, thotë ajo e përlotur.