“Unë, vajza e “panjohur” e aktorit Agim Shuke”, rrëfimi prekës i Jonidës: Trauma që më la pa fëmijë

Jonida Çobani Gjoka, vajza e aktorëve të mëdhenj shqiptarë Agim Shukes dhe Mirketa Çobaniot e ftuar në emisionin “ABC e Mëngjesit”, në ABC News, rrëfeu fëmijërinë, ndarjen e prindërve dhe traumat e divorcit të tyre.

Ajo u shpreh se e ka përjetuar shumë divorcin e prindërve të vetë për faktin se ndihej si një hije dhe si shkaku.

“Divorcin e prindërve të mi e kam vuajtur jashtëzakonisht shumë. Kam qenë shumë e vogël, vetëm 9 muajshe. Ishin dy të rinj të ‘Arteve’, por mendoj se jam produkt i një dashurie të re, të papjekur të dy aktorëve që rolin e dy bashkëshortëve në jetë nuk arritën ta bënin dot. Kam qenë si hije, si ‘backstage’, pasi e kam marrë personale ndarjen e tyre. Edhe tani e ndjej po aq fuqishëm atë dhimbje, pasi e di se çfarë përvoja të shëmtuara ka pasur nëna ime me tim atë.

Unë jam vajza e Agim Shukes dhe Mirketa Çobanit. Në fillim kur takoja babin qaja, pastaj mami vendosi që të mos më çonte ta takoja më. Pastaj vinte babi, por unë nuk kisha një lidhje të brendshme me të. Ishte një lidhje që nuk arrita t’i jepja jetë. Pas vdekjes së tij kam takuar njerëz për të lidhur ato zinxhirë të zgjidhur, megjithatë nuk arrita kurrë ta njihja dhe kjo është një peng i imi.

Ishte pikërisht botëkuptimi tyre fetar që çoi ndarjen e tyre. Gjyshja nga ana e babit ishte ortodokse dhe nuk dha kurrë bekim për lidhjen e mamit dhe babit. Aludohet për një tradhti jashtëmartesore që i vuri kapakun. Sa më shumë jetonin bashkë aq më shumë kuptonin se nuk kishin gjëra që i lidhnin, përveç një fëmijë“, u shpreh ajo.

Më tej rrëfeu dhe traumat, ku tani edhe pse e martuar ka vendosur që të mos ketë fëmijë.

“Unë dhe bashkëshorti im jemi njohur në Tiranë, ai ka pranuar dëshirën time për të mos pasur fëmijë. Në fillim ai nuk e ka pritur mirë dhe mua më duket vetja si egoiste që ta privoj nga të pasurit një fëmijë”, rrëfeu Jonida. /abcnews.al

USA Italian Dental Clinic