Rajmonda Bulku rrëfen skenat e “sikletshme” me Timo Fllokon dhe Ndriçim Xhepën: Isha shumë e bukur dhe joshëse, ky ishte “faj”

Në skenën e puthjes me aktorin Timo Flloko te filmi “Vdekja e Kalit”, Rajmonda Bulku ende nuk ishte çliruar nga paragjykimet e së shkuarës. Jo shumë vite më larg, kur ishte shfaqur filmi “erotik”, “Duaje emrin tënd”, kishin rënë mbi të, akuza që, duhet t’i drejtoheshin natyrës. Faji më i madh i saji, që e pati ndjekur qysh kur i hyri kinematografisë, ishte bukuria! Të ishe e bukur, duhet ‘të mendoheshe mirë’.

Ajo tregon si paragjykohej pse ishte e bukur, por dhe për përfshirjen në politikë.
Pse tundohen artistët nga politika? Njerëzit ju kanë njohur dhe ju kanë dashur për dekada, në një profil krejt tjetër. A nuk mendoni se rrezikohet e gjithë kjo marrëdhënie për shkak të politikës?

Marrëdhinia ime me politikën është shumë më e gjatë se vitet kur njerëzit ma njohën këtë gjë, pra kur u bëra deputete. Që prej vitit ’90, unë nuk kam qenë asnjëherë larg politikës. Pastaj, erdhi një kohë kur vëmendja e politikës, konkretisht e Partisë Demokratike ndaj nesh, artistëve, u bë shumë e madhe. Kjo ishte edhe koha kur u ngacmova së pari për të qenë pjesë e saj, me synimin që do të ndikoja edhe unë në përmirësimin e jetës artistike.

Sa i takon rrezikut për të humbur dashurinë e publikut, ky është një rrisk që politika e merr gjithnjë përsipër, ndryshe, nuk ka vlerë t’i hysh. Në këtë pikë, edhe dashamirësit e teatrit o filmit, ndahen në parti dhe pala tjetër do të të sulmojë, është e pashmangshme. Madje sulmohen sidomos artistët sepse ndoshta iu duket më e lehtë. Politika ndikon shumë te njerëzit, megjithatë tani gjërat janë qetësuar.

A jeni penduar sot, meqenëse, synimi fillestar që thoni, nuk është se u përmbush dukshëm?

Jo, as jam e as do të jem ndonjëherë.

Cili ka qenë roli i fundit, përpëra shkëputjes?

Te komedia “Të gjithë me huqe” me regji të Gëzim Kames. Kisha një rol karakteri ku u gjenda vërtet mirë dhe më erdhi keq që arrita të luaj kur shfaqja u vu premierë në fund të sezonit dhe nuk mund të isha më në rivënien e saj në shtator, për shkak të mandatit.

Përveç situatave gazmore të “Zonja nga qyteti” apo më pas te “Një shoqe nga fshati”, shikuesit nuk është se ju identifikojnë me komedinë, por po thoni se jeni gjendur mirë. Ç’raport keni patur me të, që nga filimet e karrierës?

Roli i parë që duhet të luaja në teatër ka qenë pikërisht komedi, te ‘Pallati 176″. Deri atëherë kisha bërë vetëm filma. Aty kisha rolin e Irenës dhe luajta në disa shfaqe, por nuk e di pse pata një farë ngurimi kur pjesa do të regjistrohej për t’u shfaqur në televizion. Mbase pse nuk ndihesha fort e sigurtë, u tremba dhe u tërhoqa në momentin e fundit. I pata thënë regjisorit se isha shumë e zënë në Kinostudio e nuk mund ta bëja. Rolet patjetër që kishin dublantë, kështu që nuk ishte kjo pjesa problematike, mirëpo më vonë, kur e kam menduar këtë gjë, jam penduar. Të afërt me komedinë nisa ta rishoh veten vonë, rreth viteve 2000.

Aktorët zgjedhin thuajse gjithmonë teatrin, kur vjen puna te një krahasim me filmin. Ju?

Teatri është i bukur, por filmi është mrekulli. Unë do lija gjithçka për filmin.

Mrekulli që, dikur, nuk se ka qenë aq e mrekullueshme. Nga ato çfarë tregojnë regjisorët o aktorët sot, për filmat e dikurshëm, ka patur peripeci më shumë se sa kënaqësi…dua të them, censura ka vështirësuar të gjithë procesin…

Kësaj nuk mund t’i shmangej askush atëherë, aq më tepër ne që ishim të ekspozuar më shumë se kushdo. Pengesat më janë shfaqur që në fillim. Pas dy-tri filmave të parë që kam luajtur në kohën kur isha gjimnaziste, erdhi koha që duhet të konkuroja në Akademi. Për shkak të filmit të gjatë me katër seri “Emblema e dikurshme”, kjo gjë u shty për shkak të mungesës së kohës. Pas tij erdhi “Nusja dhe shtetërrethimi” dhe “Gunat përmbi tela”. Mirëpo pikërisht pas realizimit të tyre, vura re që nuk ishte më vetëm mungesa e kohës që bëhej pengesë. Ishte klima aspak e mirë e Akademisë së atëhershme që po zvarriste gjërat. Ata nuk i donin sepse i paragjykonin vajzat e bukura dhe këtë nuk e kam ndjerë vetëm unë atëherë, por edhe kolege të mijat. Kujtoj që Elvira Diamanti ka patur të njëjtin problem.

Pra, bukuria paragjykohej, në kuptimin që këto vajza kanë vetëm këtë dhe u mungojnë aftësitë interpretuese?

Kjo ishte ajo çfarë mendonin ata. Atë kohë, ishin kundër faktit që vajzat që ishin përzgjedhur nga bankat e shkollës e kishin një farë përvoje, të ecnin më tej, të shkolloheshin e të bëheshin profesioniste. Jo, ato nuk bënin për aktore. Por, siç ata dhe ne të gjithë pamë, koha tregoi të kundërtën.

Në ç’rast tjetër, bukuria juaj ka qenë ‘faj’?

Ka qenë faj i madh te filmi “Të paftuarit”. Atëherë, ishte viti 1985, patën çuar letër në Kinostudio ku thonin ‘Ajo vajzë është shumë joshëse, nuk duhet të shfaqet’. Për këtë film, më kujtohet se janë vendosur 11 komisione kontrolli, të cilët sigurisht bënë punën e tyre në ndryshimin e tij. E quajtën modern, me ndikime të huaja, siç bënin shpesh për shumë të tjerë.

Për cilët të tjerë?

Për filmin “Binarët”. Ishte viti ’87-’88 dhe kishim nisur të mendonim se po liroheshin pak gjërat por në fakt regjisorit, Muharrem Fejzo, ia sakatuan filmin. Aty ishin disa skena demek romantike në një dhomë me qirinj që u quajtën degjeneruese. Përveç punës si dispeçere, personazhi që interpretoja, kishte pasion këngën. Këndonte si amatore dhe nga vendi i vogël ku jetonte, pati një rast të vinte në Tiranë për të kënduar. Aty pati një tërheqje nga kompozitori, me të cilin po punonte por ndërkaq kishte një lidhje dashurie me makinistin.

Dashuri kjo e pa plotë sepse vajza ëndërronte kryeqytetin, donte të bëhej këngëtare dhe e shihte kompozitorin si mundësi për realizimin e saj. Kur e panë, thanë se nuk mund të ketë kurrsesi dualizëm në marrëdhëniet e rinisë socialiste. E hoqën krejt linjën e flirtit me kompozitorin dhe lanë vetëm marrëdhënien me makinistin. Nuk e di sa e ka ndjerë shikuesi këtë gjë, por duket si e pakuptimë marrëdhënia e personazhit tim me ‘të dashurin’ e saj që nuk kishte dëshirë as t’i afrohej.

Kur kjo gjë ka ndodhur në vitin 1988, çfarë mund të ketë ndodhur te filmi “Duaje emrin tënd”! Aty, gati jeni puthur me Ndriçim Xhepën. Madje, në një intervistë, më ka thënë se ai ishte profesionalisht i gatshëm ta bënte, nëse koha do ta lejonte. Po ju?

Po ç’vlerë ka nëse unë tani them po!? Puthja nuk lejohej, shoqëria ishte paragjykuese dhe ne, megjithë që artistë, ishim pjesë e saj. Vinim nga një shkollë e mbyllyr që nuk e kishte lirinë të na mësonte as nga ana teknike. Kinostudio nuk ishte liberale. Në këtë pikëpamje, teatri ndryshonte pak për shkak se luante me pjesë të huaja ndërsa filmat ishin të gjithë shqiptarë.

Megjithatë, me puthje ose jo, “Duaje emrin tend”, është konsideruar i guximshëm. Sa njerëz kanë mbyllyr sytë kur Arseni me Jonën ishin shtrirë në vjeshtën e parkut! Si ka qenë atmosfera pas shfaqes së këtij filmi?

Oh, një atmosferë e tmerrshme. Për mua ka qenë tronditëse klima që u krijua në qytet. i ndieje paragjykimet në trup, a thua se isha shfaqur nudo. Kjo, jo vetëm nga njerëzit që nuk kishin marrëdhënie me artin por edhe nga vetë aktorët. Edhe ata ishin të mbushur me paragjykime të frikshme. Për fat, në gjithë këtë situatë ishte mbështetëse familja. Unë kisha djalin e vogël dhe shpesh më duhej ta merrja me vete në xhirime. Përveç tij ishte gjithnjë aty ose ime më, im shoq apo motra për të më ndihmuar. Pra ata e njihnin terrenin dhe nuk është se ngacmoheshin nga fjalët që shpërthyen menjëherë. Edhe pse mund të ketë qenë e diktuar nga të tjerë, çudia më e madhe vinte nga rinia që dërgonte letra në Kinostudio, ku e cilësonte filmin si të përdalë.

Përveç mirëkuptimit të familjes, nga ana profesionale, a nuk i trembeshit ju kësaj situate? Mundet që t’iu penalizonte deri aty sa të hiqnit dorë nga aktrimi të paktën edhe për 6 vitet që kishin mbetur nga Shqipëria e mbyllur?
Patjetër që ishim vazhdimisht në ankth prej reagimeve por në rastin konkret, të këtij filmi apo edhe të të tjerëve, ne nuk trembeshin pas shfaqes së filmit. Atëherë vetëm sa vuanim pasojat. Trembja ishte në fazën e parë të kontrollit. Te “Duaje emrin tend”, unë kisha dëgjuar që filmi ishte pëlqyer nga Byroja, që e shihte e para, prandaj nuk ndihesha e rrezikuar. Por në një situatë tjetër po, të gjithë ne i trembeshim vijimësisë sepse rrethanat mund të arrinin deri aty sa të pezullohej filmi.

Në rastin tuaj, asgjë penalizuese nuk ndodhi. Madje, erdhi shpejt koha kur mund të bënit atë që donit dhe atë që duhej për filmin. Konkretisht, u puthët te “Vdekja e Kalit”. Film që pikërisht prej këtyre skenave, edhe pse tashmë ishte një kohë tjetër, njerëzit e përfolën njësoj sikur të ishte realizuar në komunizëm… Si ishte në këtë rast? A ishit çliruar ju nga paragjykimet?

Mbase jo në masën e duhur por po, kishim hyrë në një kohë e mendësi tjetër që edhe pse ishte në hapat e parë, do shkonte drejt rrugës që është sot. Skena e puthjes te “Vdekja e kalit” ka patur peripeictë e veta. Së pari nga ana ime që nuk kisha fare lirshmërinë e duhur për ta bërë, isha gjatë gjithë kohës nervoze. Nuk shpëtoi nga këto ndjesi as Timo Flloko, por regjisori, Saimir Kumbaro, gjente mënyrat e duhura për të të ‘futur në kurth’, për të të lehtësuar në këtë proces që ishte në fillimet e tij.

Sepse ishte një kapërcim që po ndodhte për herë të parë. Por, në këtë rast, kishim edhe peripeci të tjera. Nuk kishim metra filmi dhe duhet të realizonim gjithçka vetëm një dubël. Atë vit, Kinostudio ishte në gjendjen e saj më të keqe dhe ne duhet të mjaftoheshim me aq. Të kishte mundësi teknike, do të ishte bërë më mirë, me disa dubla.

Related Posts

They sang THIS hit in 1958. When I hear it 60 years later? Oh, the memories

“Mr. Sandman, bring me a dream. Make him the cutest that I’ve ever seen.” The year is 1958. Eisenhower is the President, and rock-and-roll as we know…

Freskohet moti por tre qytete ”refuzojnë” uljen e temperaturave, java e fundit e qershorit do të…

Lajda Porja nga Meteoalb në një intervistë në Ora News u shpreh se të martën dhe të mërkurën pritet rënie e temperaturave. Porja: Ka patur një freskim…

TMERR NË DURRËS: Vajza vret babanë dhe e varros, donte ta fejonte me zor!

Durrës, vihet në pranga shtetasia Hygerta Meta, e cila vrau të atin e saj shtetasin Pellumb Meta Durrës, 23 Shkurt 2024 /noa.al- Krim i tmerrshëm në Durrës,…

Elbasan/ Shembin shtëpinë e vjetër të gjyshit, nuk u besojnë syve çfarë gjejnë poshtë saj

Shembin shtëpinë e vjetër të gjyshit, por mbeten të shtangur nga ajo që gjejnë në arkë. Një familje në Elbasan ka shembur muret e një shtëpie të…

Bes Kallaku na prezanton me dashurinë e tij te re

Duket se ky 14 shkurt nuk e gjeti Besin pranë Xhensilës, por pranë publikut. Me këtë rast ai ka publikuar një story në instagramin e tij, ku…

U arrestua për shfrytëzimin e nipit për të ardhura në TikTok, si nisi sherri publik i Natashës me ish-nusen për kujdestarinë e djalit vite më parë

Ditën e sotme, personazh i famshëm në TikTok, Natasha Rombula, ka përfunduar pas hekurave bashkë me të birin, me akuzën se kanë shfrytëzuar djalin e mitur, për…