Nëse se keni ditur, Liridona nuk është e para! Vrasjet e mistershme të Eleni Bashos, Erjeta Avdylit dhe Irena Selit

Liridona nuk ishte e vetmja grua që u vra nga dora gjakatare e bashkëshortit të saj.
Liridona Ademaj u vra me porosi të bashkëshortit të saj.

Versioni më i përafërt i hetuesve është se Naim Murseli e donte të vrarë nënën e të dy fëmijëve, me qëllim përfitimin e një sasie prej 20 milionë euro, para që rrjedhin prej sigurimit të saj shëndetësor, në rast se Liridona do të humbte jetën. Me një rivarrosje pas zbulimit të aktit makabër, Liridona tashmë është në banesën e fundit, edhe pse jo e vetmja. Përpara saj, gra të tjera kanë patur të njëjtin fat.

Ne do të ndalemi pikërisht te këto histori, ku jeta e një gruaje është prerë në mes në rrethana thuajse identike e në mos të ngjashme me ato të Liridonës.

Dashuria (s)vret
Pakkush e mban mend se në vitin 2012, Eleni Basho, me profesion laborante dentare u vra më 2 shkurt 2012. Ajo jetonte në Shkozë por pak metra para se të mbërrinte në banesë, një person me armë zjarri i doli përpara, duke e vrarë. 22 ditë më pas, i shoqi i saj, Ilia Basho u arrestua ndërkohë që ngjarja paraprakisht ishte raportuar si grabitje.

Por hetimet u përhapën në dissa pista. Së pari, Prokurorët hetuan për konfliktin e çiftit në lidhje me dijeninë e Elenit për lidhjen e Ilias me një grua tjetër, Yllka Shehaj. Por edhe pse një mesazh hodhi këto dyshime, Ilia Basho u lirua dhe vrasja e saj dhe lënia e dy fëmijëve pa nënë, kurrë nuk mori drejtësi.
Liridona nuk është e para! Vrasjet e mistershme të Eleni Bashos,
Eleni Basho

“Gjatë kqyrjes së aparatit telefonik të Yllka Shehaj e cila përdor numrin 0672059XXX është gjendur një mesazh me teks “Jeta ime mbaji mënd këto fjalë nëse ajo që dua unë nuk bëhet,ashtu siç dua unë të lutem ndihmoi fëmijët e mi si të tutë. Të dua të dua shumë.Te ora poshtë ke ca lekë, janë të tuat e di ti dhe unë”,”-shkruhej në dosje.

Liridona nuk është e para! Vrasjet e mistershme të Eleni Bashos,

11 vite kanë kaluar që nga ajo natë. Eleni Basho, asokohe nënë e një djali 13 vjeç dhe një vajze 9 vjeçe, dyshohet se donte që të ndahej me bashkëshortin e saj për shkak të lidhjes jashtëmartesore. Po ashtu, Eleni Basho zotëronte në emër të saj një kompani biznesi në fushën e importit dhe tregtimit të produkteve dentare, të krijuar nga Ilia i cili punonte në organet e tatimeve. Ai e kishte hedhur biznesin në emër të gruas për të shmangur konfliktin e interesit. Por asnjë nga këto pista nuk u vërtetuan kurrë!

Letra e fajësisë

Erieta Avdyli dhe Dritan Avdyli
Viti 2000. 33-vjeçarja, Erieta Avdyli u zhduk pa gjurmë më 30 mars. Prindërit e saj, të shqetësuar për mungesën e të bijës lajmëruan Policinë e Shtetit. Shqetësimin e kishin të madh por edhe dyshimin të qartë. Personi që drejtonin gishtin ishte ish-bashkëshorti i Erietës që e kërcënonte duke i marrë frymën ditë pas dite. I pari që u shoqërua ishte Dritan Avdyli, me detyrë shefi i komisariatit numër 1 Tiranë, i cili ngriti dyshime pasi nuk i shkoi as në varrim. Pas arrestimit, për të, u vendos “arrest me burg” pa afat, por ditët kaluan dhe hetimet për të u mbyllën. Edhe pse dosja e saj ishte plot me kontadikta.

Liridona nuk është e para! Vrasjet e mistershme të Eleni Bashos, Erieta Avdyli dhe Dritan Avdyli

Erieta ditën që është zhdukur ka qenë me një veshje tjeter, ndërsa ditën që ishte gjetur trupi kishte të tjera. U mendua se kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortit të saj ku edhe ishte ndërruar. Atë ditë pasi të linte punën ajo do të shkonte të merrte disa rroba dhe librat e të birit, për t’u kthyer më pas sërish tek prindërit e saj. Por nuk ia doli kurrë që ndoshta të dilte gjallë nga aty.

Edhe Erieta, ashtu si Liridona po përgatitej për të kërkuar divorcin për shkak të dhunës që po i ushtrohej nga i shoqi. Por në vend të paqes, ajo gjeti errësirën. E gjetën të groposur në anë të rrugës, në fshatin Romanat të Durrësit. Atje iu mbyll jeta, e po ashtu, aq shpejt iu mbyll edhe dosja. Pa një autor, pa një person që vuan dënimin. Mirëpo Erieta e dinte fundin e saj, ose më saktë e kishte ndjerë dhe hedhur mbi letër. Ajo i kishte shkuar një letër të shoqit të saj, nuk ishte letër dashurie, por lutjeje. Ndër rreshta “bërtasin” fjalët: Më lër të jetoj!

“Në pamundësi për të folur ballë për ballë me ty, sepse kam frikë nga fjalët e zakonshme ‘mos më çaj kokën’, ose ‘ik, moj qelbësirë’, po të shkruaj atë që ndiej në letër. Jam shumë e fyer dhe e vrarë shpirtërisht. Nuk mund të duroj të më trajtosh sikur unë nuk ekzistoj, të hysh e të dalësh në shtëpi pa më përshëndetur, të mos më flasësh me gojë dhe të mos më prekësh me dorë për ditë të tëra… Për ty unë nuk vlej asgjë.

Këtë më thotë sjellja jote. Kurse babai yt më fyen me fjalë që unë s’mund t’i them, por po t’i shkruaj. Sa herë që më merr në telefon ndonjë shoqe ose ime motër dhe unë nuk jam në shtëpi, ai i përgjigjet ‘kushedi se nga bredh’, duke e ditur ndërkohë se ku jam unë, sepse nuk kam dalë asnjëherë nga shtëpia pa i përshëndetur dhe pa u thënë adresën se ku po shkoj. Kurse mua më kthehet edhe më thotë: ‘U këpute në b…. ti duke punuar. Nga ti po jetojmë, nuk e shikon!’ etj. Hyj në shtëpi, përshëndes dhe nuk marr asnjë përgjigje nga ai.

Këto më vrasin edhe më shumë. Unë më duket se po punoj njësoj si ti dhe po kontribuoj njëlloj si ti për familjen. Nuk e meritoj të më sillesh në këtë mënyrë, Dritan, sidomos ti. Unë e ndiej se duhet të largohem për disa kohë te prindërit e mi. Në qoftë se ti mendon se me të vërtetë unë nuk vlej asgjë për ty dhe të jam mërzitur, mos hajde të më marrësh. Në të kundërt, të pres me gjithë shpirt dhe po ta them edhe njëherë, siç ta kam thënë me dhjetra herë, të dua shumë, nuk dua të shkatërroj familjen time, por të më trajtosh si një leckë dhe të më thuash qelbësirë e mos më çaj kokën, nuk duroj dot.

Të mos diskutosh asnjëherë me gruan tënde, të mos marrësh asnjëherë mendim, kjo nuk më duket normale. Ose të më thuash të paktën një herë me çiltërsi, e jo ta bluash nga brenda: ‘Këtu ke gabuar, këtu më ke fyer, mos e bëj më’ etj.”

Pa u tharë mirë ende boja mbi letër, ajo u shua! U shua fatkeqësisht si shumë vajza të tjera, por na e zbuloi vetë enigmën: Ja kush e vrau Erjeta Avdylin!

Udhëtimi i fundit i Irena Seli
Irena Seli është zhdukur për më shumë se një dekadë. Me shpresën për një jetë të re, ajo hipi në tragetin e linjës Trieste-Durrës, nga i cili nuk u mësua kurrë nëse zbriti. Hera e fundit që u pa ishte mesdita e 15 dhjetorit 2004, kur trageti me të cilin ajo dhe bashkëshorti i saj,

Agim Musha udhëtuan nga Italia në Shqipëri, u ankorua në Portin e Durrësit. Shumë skenare u përfolën. Disa sugjeronin se e reja kishte humbur në Itali me dëshirën e saj, e të tjerë bënin fajtor bashkëshortin e saj.

Për të thuhej se e hodhi në det nga trageti pasi çifte pasur disa zënka më parë, por kurrë nuk u provua nga autoritetet, e kështu, edhe ajo dosje u mbyll. Fati i Irena Selit nuk u mësua asnjëherë, e djali i saj Bruno dhe e bija Romina u rritën pa nënë.

Megjithatë këtë mister, nuk do ta zgjidhin kurrë edhe ata si shumë të tjerë.

E përbashkëta e këtyre historive risjellë sot në kohën kur një grua është vrarë me porosi të të shoqit, ngre një tjetër çështje madhore për kohën që jetojmë. Dhunën moderne të kohës dhe dobësinë e gruas në një shoqëri që sipërfaqen po përpiqet ta ruajë të pastër dhe në përpjekje për më shumë barazi, ndërkohë që bazën e saj sërish e ka në një dominancë mashkullore. Historia nga Erjeta te Liridona na tregojnë pikërisht këtë!/ZËRI