“Mirush Kabashin e njoh që 5 vjeç, bëri me not Sazan-Vlorë e pastaj në mbrëmje doli në shfaqje”

Regjisori Haxhi Rama ka rrëfyer disa nga kujtimet me aktorin e ndjerë, Mirush Kabashi, i cili ndërroi jetë këtë të martë.

Ai tregon se e ka njohur qëkur ishte 5 vjeç, ndërsa kanë bashkëpunuar në 10 deri në 15 projekte në teatër.

“Në mëngjes sapo ishte zgjuar hapa tv dhe mora vesh lajmin e kobshëm. Pas 5 min më ra telefoni dhe një nga ju më kërkoi një mendim, nuk isha në gjendje.

Këto që flas tani do kërkoj ndjesë, por formulova këtë ide, Kabashi nderi i kombit sot për mua është dhimbja e kombit.

Kjo dhimbje mund të jetë ngushëllimi më i mirë për familjarët dhe dashamirësit e tij. Ishte një mik i hershëm, Mirushin mund ta kem njohur kur ka qenë 5 vjeç.

Ka qenë një koleg i shquar në punë. Një aktor me cilësi të jashtëzakonshme, me një ambicie profesionale, fenomenale, vullnet.

Mirushi ishte aktori nga ata që e kupton kërkesën e regjisë, spektaklit, e realizonte në mënyrë perfekte. Humbja e Mirush Kabashit është humbje kombëtare.

Ka një tipare të jashtëzakonshëm që e njohin të gjithë qytetarët e Durrësit, dashuria për detin. E bukura që bënte Mirushi dhe Spiro Rumi ishte ta kalonin me not nga Teuta deri Iliria, me stil future që është shumë e vështirë.

Ka bërë maratonën nga Sazani deri në Vlorë dhe më e bukura është se atë natë ne kishim llogaritur shfaqen dhe ai i hipi motorit të shokut të vet pasi kishte bërë 9 orë not dhe erdhi në mbrëmje në shfaqje”.- tha Haxhi Rama.