Një nga të dhënat ka të bëjë me një histori në kufijtë e legjendës.
Sipas kësaj historie, emrin Molla e Kuqe e kishin dy fshatra skajorë shqiptarë, njëri në veri dhe tjetri në jug të vendit.
Data e këtyre toponimeve nuk njihet, por ato tregonin dy skajet kufitare të një Shqipërie që nuk ekzistoi më pas 1913-ës.
Fshati Molla e Kuqe në jug, i përket një zone që sot gjendet brenda kufijve administrativë të Greqisë, me emër të ndryshuar në Kalloreferis. Fshati tjetër, në skajet veriore të Shqipërisë, gjendet edhe ai jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme, diku afër një vendi të njohur me emrin Novi Pazar.
Për këtë toponim flet edhe një shprehje shumë e përdorur dikur, por e rralluar ose e zhdukur në ditët e sotme: “Do rrish urtë apo të ta bëj shtëpinë matanë Mollës së Kuqe!” Shprehja përdorej sa herë duhej t’i thoshe dikujt që mund të dërgohej larg.