Janë ndarë pas 10 vitesh? Mos vallë Rozana na e zbuloi këtë gjë në postimet e fundit në Instagram

LAJME

Kanë kaluar jo pak, por gati 10 vite kur rrethit të ngushtë të miqve, artistja e njohur Rozana Radi i prezantoi të dashurin e saj. Bëhej fjalë për një djalë jo nga bota e artit, por me sensin e humorit të babait të saj, aktorit tashmë të ndjerë, Ferdinand Radit.

I zgjedhuri i saj quhet Shpëtim Karakushi dhe punon si Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë, lidhje me të cilin Rozana u përpoq ta mbante të fshehtë tre vitet e para. Flitej në rrethe artistësh se Rozana ishte lidhur me një djalë simpatik, por ndërkohë Rozi shfaqej mjaft e rezervuar dhe nuk dilte në publik me të.

Por në nëntor të vitit 2015, ajo u pa në Panairin e Librit në shoqërinë e Shpëtimit ku u fotografua nga paparazzi i “Panorama Plus”, ku u publikuan dhe detaje mbi të zgjedhurin e Rozanës. Më pas u fotografuan dhe në plazhin e Dhërmiut, si dhe gjatë netëve të Festivalit në RTSH, paparazzi ynë fotografoi përsëri Rozanën me Shpëtimin, dëshmi këto se lidhja e tyre ishte konsoliduar edhe me bashkëjetesë.

Gjatë kësaj periudhë Rozana është pyetur shpesh nga ndjekësit në rrjetet sociale se pse nuk po martohet dhe ajo u është përgjigjur se nuk i pëlqen të bëjë plane. Por këto ditë ndryshe nga ç’ndodh zakonisht me personazhet publikë, ka qenë ajo vetë që i ka hedhur benzinë zjarrit, duke lënë të dyshohet se ajo mund t’i ketë dhënë fund lidhjes prej një dekade me oficerin e Policisë.

Në fillim e nisi me disa statuse kur nënkuptohej trishtimi, ndërkohë që në programin “Boom” i deklaroi mikeshës dhe koleges së saj, Fiori Dardha, se ajo tashmë është single. Në emisionin investigativ “Boom”, këngëtarja dhe moderatorja Rozana Radi gjatë emisionit iu drejtua Fiori Dardhës, duke i thënë se është beqare dhe tashmë do dalë për darkë me ministrin Arben Ahmetaj në Turqi.

Fiori vijonte më tej duke i thënë që të paktën të shkojë në Dubai, teksa shton se as single nuk di të jetë. Disa ndjekës e komentuan si një shaka, të tjerë i kujtuan se shakaja është gjysma e së vërtetës dhe të tjerë janë të bindur se Rozana është ndarë me të vërtetë, pasi pak a shumë ka ditë që jep sinjale të tilla me anë të postimeve të saj. Para disa ditësh, ajo postoi një foto, sipër së cilës shkruante “Sono libera” (Jam e lirë).