Etleva, sot 44 vjeç, e kishte menduar ndryshe dashurinë e saj të parë, por fatkeqësisht nuk ndodhi ashtu siç ajo shpresonte e ëndërronte. Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo u shpreh që nuk e pati dot mundësinë ta njihte vetë njeriun e jetës, pasi u martua me mblesëri në moshën 22-vjeçare.
Sipas saj, kjo martesë ishte plot sakrifica dhe e sforcuar, por ama Etleva pati fatin të ketë edhe 2 fëmijë të mrekullueshëm: Emiljanon dhe Adrianon. Shumë telashe e shumë ndjesi që humbën shpejt gjatë rrugës, e çuan marrëdhënien 13-vjeçare të Etlevës në divorc. Ky vendim ishte i saj, por vuajtja më e madhe për të ka qenë ndarja e dy fëmijëve. Emiljano qëndroi me ish-bashkëshortin, kurse Adriano me Etlevën.
Etleva: Adriano direkt si i vogël që ishte, vetëm 9 vjeç në atë kohë. Më thotë: “kaq ishte familja mami?”. Ata nuk kuptojnë dhe nuk dinë dhe këtë gjë duhet t’jua them të gjithë personave ose çifteve që kanë një mosmarrëveshje që në fillim. Ata që lëndohen më shumë në të gjithë historinë, ndoshta e kanë dëgjuar por nuk e kanë provuar, ai njeri që e ka jetuar nën lëkurë di ta thotë, që vetëm fëmija vuan më shumë.
Ardit Gjebrea: Ti e more Adrianon me vete dhe shkove ku?
Etleva: Për momentin jetuam prapë në qytetin e Fierit, se për mua ndarja e 2 fëmijëve ishte shumë e pakapërcyeshme si nënë, nuk e kisha menduar.
Ardit Gjebrea: Pra doje të ishe në një qytet ku ishte dhe djali tjetër?
Etleva: Në një lagje që edhe shkollën ta kishin afër sepse vërtetë mendova…
Ardit Gjebrea: Që edhe mos të ndaheshin të 2 në një farë mënyre.
Etleva: Mos të ndaheshin, nuk doja që fëmijët të ndaheshin. Asokohe babi më thotë që: “mund të vish, shtëpia është e jona, do jetojmë bashkë”. Thashë: “nuk mundem unë pa djalin tim”. “Po si ta vë unë kokën në jastëk”, këto fjalë nuk kam për t’i harruar kur më tha “ti të jetosh në një qytet tjetër, duke e ditur që ti je vetëm me një fëmijë”. “Ti do rrish i qetë”, i thashë “sepse unë do vazhdojë përpara me djalin tim. Do të rri këtu për Emiljanon”. Është djali im i madh, që ai e vuajti vërtetë shumë divorcin.
Kjo që më dhemb më shumë nga e gjitha. Nuk më dhembin vitet e mia që kalova, fare, që i humba. Thjesht fëmijët e mi. Di të them Ardit që, çdo ditë edhe pse përballesha me opinionin, me shikimet e njerëzve, kurioziteti… sepse kur ndodh një divorc, dihet që të gjithë janë kureshtarë, jo se në të vërtetë duan të të suportojnë. Të të them, Adriano i vogël ishte vetëm 9 vjeç. Edhe dita e gjyqit ka qëlluar dita e ditëlindjes, kur ai bënte 10 vjeç. Ka qenë seanca e parë e gjyqit tim, që ne bënim divorcin. Ia kemi festuar me dy prindërit e mi, me të keq, i fshiva lotët ku erdha në shtëpi dhe i thashë: “ti m’u bëfsh edhe 100, por ne do ta vazhdojmë bashkë këtë rrugëtim”.
Nuk di ç’të them. Më kujtohet vetë një frazë e Adit, kur më thoshte që, e vija në gjumë dhe filloja (i vendos gishtat poshtë syve për të simbolizuar që qante)… Ai edhe në gjumë e ndiente dhe më thoshte: “më ke premtuar që nuk do qash sonte, më ke premtuar”. Sepse nuk doja të më shihte gjatë ditës dhe thosha si mund t’ia dal tani. Unë vërtetë e kërkova këtë divorc, por si mund t’ia dal. Por pa ndihmën e prindërve të mi, unë nuk do isha sot këtu duke treguar këtë histori. Sepse njeriu ka momente që tregohet shumë i dobët dhe nuk do as të jetojë më. /tvklan.al