Drande Xhai nuk i mban lotët në intervistë live për Zef Dedën: Kanceri nuk e fali…

Drande Xhaj, aktorja e njohur e humorit e njëkohësisht partnerja në shumë role e Mjeshtrit të Madh Zef Deda i cili ndërroi jetë ditën e sotme, ka folur përmes një lidhjeje Skype për Klan News.

Me zë të dridhur e duke qarë, ajo u shpreh në intervistë për gazetarin Besard Jacaj, se vdekja e tij është një dhimbje e tronditje e madhe për të gjithë.

“E kanë thirrë gjithmonë baca Zef, në të gjithë diasporën. Është fenomeni Zef Deda! Sot u largua Chaplini shqiptar”, tha Drande Xhaj.

Ajo rrëfeu se ditët e fundit kishin qenë shumë të vështira për të.

“Ka dy muaj që nuk dilte nga shtëpia dhe ne vazhdimisht e kemi takuar, kemi jetuar me dhimbjen e tij, dëshpërimin e tij, kishte një emocion të jashtëzakonshëm sa na shihte ne, ishte lajm i trishtë kur e morëm vesh. Do të na mungojë të gjithëve!

Ka pasur probleme ishemie, por ky kanceri e largoi fizikisht nga jeta, ishim para dy ditësh te Zefi, ishte tepër i emocionum, ai e kishte mendjen shumë të qartë edhe e kuptonte që do të ishte fundi i tij, na tronditi shumë dhe u përpoqëm ta mbajmë veten, dhimbja është e madhe.”

Aktorja shtoi se për pak kohë do të festohet dhe 65-vjetori i Estradës Shkodrane, e fatkeqësisht karrigia e Dedës do jetë bosh.

“65 vjetori i Estradës do jetë në pak ditë ku Zefi ka një vend shumë të rëndësishëm, në karrigen e Zefit do jetë një buqetë e madhe me lule. Ai do jetë gjithnjë i pranishëm më artin e tij. Është artist me të gjitha dhuntitë e jashtëzakonshme, showmen i vërtetë!”