Dikur quhej Gjërixha ndërsa tani Korçë, historia 520 vjeçare e një qyteti..

LAJME

Në vitin 1496, në fshatin Peskopje, që ishte në mvartësi të Korçës, përfundoi së ndërtuari Xhamia e Madhe, sot ndërtesa më e vjetër e qytetit të Korçës.

Ky objekt kulti ishte pjesë e një kompleksi fetar shoqëror që përbëhej, përveç saj, edhe nga tyrbja, hamami me ujësjellës, një imaret dhe

Sot, përveç xhamisë ekziston dhe tyrbja, kurse imareti, hamami me ujësjellës nuk ekzistojnë, janë prishur, siç u prish në mënyrë të pashpjegueshme edhe Medreseja, shkolla e parë e qytetit, në vitin 2009 duke i hequr Korçës një monument unik historik.

Këto ndërtime në fshatin Peskopje (Peshkëpi), u kryen nga Ilia Panariti, i biri i priftit të kishës më të madhe të fshatit Panarit, i cili pas një karriere të suksesshme ushtararake dhe administrative në Perandorinë Osmane në shekullin XV, u njoh nga historia me emrin e myslimanizuar Iljaz Bej Mirahori.

Ai ishte pjesëmarrës në pushtimin e Kostandinopojës në vitin 1453, ku dhe u shpërblye nga sulltani me prona të shumta në lagjen e Stambollit “Jedi Kule” dhe në lagjen “Ivlanka”. Më e rëndësishme ishte kisha e Shën Kostandinit, që ndodhej në rrethet e “Jedi Kulesë”, të cilën ai e ktheu në xhami, e cila mban dhe sot emrin “Xhamia e Mirahorit” ose “Kisha – Xhami”(shih dorëshkrimin e S.Pulahës për jetëshkrimin e Iljaz Bej Mirahorit nxjerrë nga Enciklopedia turke e Sami Frashërit).

Më vonë Iljaz Bej Mirahori zuri postin e Valiut të Vilajetit të Janinës si dhe poste të tjera deri në detyrën e rëndësishme të Mirahorit, përgjegjësit të stallave të sulltanit, ndërkohë që u bë dhe edukator i sulltan Bajazitit II. Si u plak, Iljaz Bej Mirahori u kthye në Shqipëri dhe sulltani si shpërblim të shërbimeve të tij, i dha pronë fshatrat: Panarit (vendlindjen), Treskë dhe Trebickë.

Duke parë se kushtet gjeografike të këtyre fshatrave nuk lejonin krijimin dhe zhvillimin e një qendre qytetare dhe administrative, Iljaz Bej Mirahori, filloi të pregatitej të zbriste në fushën e Korçës, ku përcaktoi të përshtatshëm për qëllimet e tij fshatin Peskopje. Këtu ai bleu një kishë me emrin “Shën e Premte”, të cilën e bëri së pari teqe, më pas xhami dhe kjo sot është Xhamia e Madhe (N. Naçi “Korça dhe katundet e qarkut”, viti 1923,fq.57).

Xhamia përfundoi në vitin 1496 dhe po në këtë vit sulltan Bajaziti II, me kërkesë të Iljaz Bej Mirahorit, nxjerr dekretin sipas të cilit: “Dy fshatrat Panarit e Treskë, pronë personale e tij të shkëmbehen me fshatin Peskopje, në vartësi të Korçës, që ka dy pjesë…edhe unë ia dhuroj të lartpërmëndurit, të dy pjesët në fjalë” (Shih S. Ramo, Ilia Panariti dhe Korça, fq.123). Me këto veprime Iljaz Bej Mirahori hodhi themelet e qytetit të Korçës (S. Frashëri, Enciklopedia turke). Të njëjtin mendim shprehin shumë studiues që janë marrë me historinë e themelimit të Korçës, “Për Korçën, Themeltar është Iljaz Beu – Mirahor e Veli, i bir i ati prifti Panaritit i emëruar më parë Ilo, edhe si Themeltar duhet të quhet i pari mirëbërës i saj” (Nuçi Naçi, fq.64)

“Korça deri në ardhjen këtu të Koxha Mirahorit, atdhetarit të kryer në fenë islame…ishte një fshat i vogël që quhej Peskopi…, që kur ky vendosi ndejen e tij këtu si princ i vogël, që atëherë gradualisht Korça shkoi përpara…Prej këtij llogaritet dhe kronologjia e Korçës” (Thimi Mitko, vepra Tiranë 1981, fq.547).

Por a është vërtet Iljaz Bej Mirahori themelues i qytetit të Korçës së sotme?
Përgjigjen e japim duke shqyrtuar dokumentacionin që ekziston për Korçën dhe që na lejon të shohim meritën e Iljaz Bej Mirahorit në mos jo për “themelimin” e qytetit të Korçës së sotme, por për Rilindjen e tij 520 vjet më parë.

Të dy historianët që flasin për Korçën: Nuçi Naçi dhe Thimi Mitko, si e thonë vetë, kanë shfrytëzuar dokumenta të vjetra që ndodheshin në familjen Myteveli, pasardhësja e Iljaz Bej Mirahorit. Lajmi i plote ne li nkun posht.