Kali që shfaqet duke aktruar me heroin kryesor të filmit “Pylli i lirisë” është “Kaprolli” i Petrit Dumes, gjeneralit të dënuar me vdekje për tradhti të lartë ndaj Partisë dhe pushtetit popullor.
Fakti i panjohur në vitet e diktaturës, është koleksionuar nga Alfred Bualoti, aktori që i ka buzëqeshur fati të kalërojë me të, si një nga momentet e veçanta të karrierës së tij artistike. Nga aq sa rrëfen për mbresat e aktrimit me “Kaprollin” e famshëm, Vlashi i “Pyllit të lirisë”, të bën përshtypje mënyra si është miqësuar me kalin e personazhit historik, ndërkohë që një marrëdhënie të tillë nuk e kishte provuar herë tjetër, qoftë edhe me kuaj të zakonshëm.
“Megjithatë, jo çdo gjë na shkoi kreshendo”, shton Bualoti duke kujtuar rastet kur e ka parë veten të gjakosur poshtë këmbëve të tij. Sakaq, kujton me detaje rrethanat e rekrutimit të “Kaprollit” për filmin “Pylli i lirisë”, si u zbulua vendndodhja e tij pas dënimit të Dumes, kush e orientonte me dinamikën e skenarit gjatë xhirimeve, çfarë ndodhi me të pas përfundimit të filmit…
Zoti Alfred, në filmin “Pylli i lirisë” shfaqeni duke kalëruar me një kal të veçantë. Në çfarë rrethanash u është besuar ky rol dhe sa të vështirë e keni pasur këtë lloj aktrimi?
Të aktrosh me një kalë, së paku duhet të kesh kalëruar me të. Mua nuk më ishte dhënë rasti kurrë, madje as nuk e kisha menduar të hipja ndonjëherë në shpinë të tij. Për herë të parë dhe të fundit isha përballur me një të tillë në vitet e fëmijërisë, kur vizitoja familjen e gjyshit në Përmet. Kontakt tjetër deri atë herë nuk kisha pasur. Pikërisht për këtë arsye ngurova kur m’u ofrua roli i Vlashit te “Pylli i lirisë”…
Kush ua ofroi rolin e Vlashit te “Pylli i lirisë”?
Asokohe punoja në Teatrin e Gjirokastrës. Kisha vetëm pak kohë që kisha shkuar aty, i transferuar nga RTSH, në emër të të famshmit qarkullim kuadri. Kishte ndodhur kjo edhe me një sërë krijuesish të brezit tim, të punësuar në atë institucion fill pas diplomimit në Akademinë e Arteve. Lajmin për të marrë pjesë në kinoprovat e filmit ma komunikoi një nga zyrtarët e kinoteatrit. Të them të drejtën, e prita me gëzim. Oferta ishte e mrekullueshme, por edhe joshëse, pasi më krijonte mundësinë të rikthehesha pranë familjes në Tiranë. Qysh në takimin e parë, regjisori më njohu me subjektin e filmit dhe vështirësitë që paraqiste në këtë rast aktrimi me kuaj…
Çfarë e bënte të domosdoshme praninë e kuajve në pamjet e filmit?
Filmi i referohej një ngjarjeje reale në zonën e Divjakës. Më herët, për të Naum Prifti kishte bërë një tregim. Mbi subjektin e tij, Kiço Blushi kishte shkruar skenarin e filmit. Pra, në rastin e “Pyllit të lirisë” kuajt nuk ishin një gjetje artistike, por protagonistë të zhvillimeve në një lagunë që dominohet nga kuaj të egër. Vlash Zeka (roli im te filmi), një banor i atyre viseve, jetonte duke u marrë me ta. I vëllai partizan kishte vrarë një spiun të italianëve. Kjo Vlashin e kishte vënë në shënjestrën e këmishëzinjve. Ngado e ndjekin njerëzit e këtyre të fundit. E ndjek Lami, spiuni me damkë në zonë.
Po e ndjek dhe Ibrahim Beu që vjen të mbledhë kuaj të egër. Në këtë sfond që domino het nga kuajt, shfaqen ngjarje të tensionuara. Momenti që Vlashi e Lena dalin partizanë e fut historinë në një rrjedhë interesante… Pra, filmi bën fjalë për një ngjarje reale, që do të thotë se edhe Vlashi ishte një personazh real… Ky Vlashi i vërtetë jetonte në një kasolle në të dalë të pyllit të Divjakës. Vasil Goreja e quanin. Kontakti me të ishte procedura e parë që realizuam kur shkuam për xhirime në terren. Ishte një plak i moçëm, diku te 90-tat. Na tregoi historinë e tij me kuajt. Në vitet e rinisë ishte bërë i njohur për mënyrën si kapte dhe zbuste kuajt e egër.. Na tregoi sakaq ngjarje të tjera nga vitet e luftës…
A është e vërtetë që kali te “Pylli I lirisë” ka qenë i Petrit Dumes?
Ka qenë pikërisht ai, “Kaprolli” i famshëm i gjeneralit të njohur që diktatura e martirizoi si puçist. Petrit Dumja e kishte përzgjedhur mes qindra të tjerëve të racës “Gjakpastër arab” të fermës së Lazaretit…
Si u bë “Kaprolli” i gjeneralit aset i Kinostudios dhe kush u mësoi të kalëroni me të?
Nevoja për kalin e heroit kryesor lindi kur kishte përfunduar faza përgatitore e filmit. Grupi realizues rrahu mendime e hodhi variante të ndryshme për të siguruar një të tillë. Regjisori, dhe sidomos skenaristi, këmbëngulnin për një kalë të veçantë, së paku të ndryshëm nga ata të lagunës së Divjakës. Në debat e sipër, dikush përmendi fermën e kuajve të Ushtrisë. Aty për aty ideja e tij na bashkoi në një mendje. Të nesërmen u gjendëm në Lazeret, por mësuam se kuajt i kishin zhdukur. Kjo kishte ndodhur fill pas dënimit të gjeneralëve, me emrat e të cilëve lidhej ferma e njohur. Që këtej u vumë në kërkim të tyre.
Dhe i gjetët?
Më parë kontaktuam me njërin prej specialistëve të fermës. Fatmirësisht, ai kishte qenë kujdestari i “Kaprollit”. Kur i thamë se kërkonim kalin e Petrit Dumes, Xhemal Koçi(kështu quhej instruktori i kalit të gjeneralit), u përlot dhe na tregoi se e kishin degdisur në Përmet. Na u desh të udhëtonim për aty. “Kaprollin” e gjetëm duke tërhequr një karrocë shkatarraqe. Ishte përçudnuar i tëri. Cigani që e kishte përdorur si mos më keq, i kishte prerë edhe jelet. Vendosëm për ta marrë. Pas procedurave të rastit, e sollëm në Tiranë. Xhemalit iu deshën disa ditë për të normalizuar pamjen e tij. E vetmja gjë që nuk mund të ndërhynte, ishin jelet e prera. Me to u mor Ana, parukieria e talentuar e Kinostudios, e cila sajoi një palë artificiale.
Pra, erdhi momenti kur duhej të hipnit në kalin e Petrit Dumes…
Më përpara duhej të miqësohesha me të, ta bëja shok në kuptimin e plotë të fjalës. Kjo, falë talentit të Xhemalit që komunikonte me “Kaprollin” sikur të ishte njeri, u bë e mundur shpejt. Pastaj erdhi çasti i provave të kalërimit. Provat e para ishin tmerrësisht të vështira. Gjatë tyre jam rrëzuar e gjakosur disa herë, por nuk u tërhoqa kurrë. Ndoshta nga pasioni, ndoshta nga mosha e re. Më në fund ia mora dorën…
Kur nisën xhirimet në Divjakë dhe sa zgjatën ato?
Me sa më kujtohet, xhirimet nisën aty nga fillimi i majit ‘76 dhe zgjatën gati tre muaj. Skenat e aktrimit në terren me kalë ishin momentet më të vështira. Këtu roli i Xhemal Koçit, instruktorit të tij, ishte determinant. Ai fillimisht njihej me pjesët e skenarit, studionte terrenin ku do xhirohej dhe instruktonte kalin si ta kishte ushtar të bindur. Pastaj fillonte me mua. Më tregonte si do veproja, si do hipja në shpinë të tij, si do ta komandoja, çfarë do kisha parasysh në rrethana të veçanta…
Patët probleme me kalin gjatë xhirimeve?
Kanë kaluar kaq vite, por disa syresh i kujtoj edhe sot. Kujtoj sidomos çastet e veçanta kur kali nuk i bindej asnjë urdhri. Po, po kishte raste të tilla. “Kaprolli” njihej si hamshor i papërmbajtshëm. E tillë ishte raca që i përkiste. Problemi më i madh me të ishte momenti kur afrohej ndonjë pelë hergjele, nga ato të kories së Divjakës. Atëherë nuk bëhej fjalë të merreshe vesh me të, qoftë edhe Xhemali. Ai tjetërsohej i tëri dhe sulej turravrap, mbaronte punë dhe rikthehej. Këtë huq ia njihte mirë Xhemali, i cili na ftonte për një pushim të shkurtër. Gjatë xhirimeve ndodhi kështu disa herë, por pa qeder, siç thoshim atëherë.
Si shkoi aktrimit me “Kaprollin” në Divjakë?
Ndryshe nga kalërimi në mjediset e Kinostudios, aktrimi me “Kaprollin” në terren kishte mjaft të papritura. Të tillë e bënte terreni i thyer, prania e kuajve të tjerë, distancat e gjata në vrapim dhe sidomos shpejtësia që shkonte deri në 70 kilometra në orë. Jam rrëzuar disa herë gjatë xhirimeve. Jam rrëzuar e gjakosur madje. Në çdo rast, çuditërisht, gjendesha para këmbëve të tij. Kur e vështroja nga poshtë, tmerrohesha. Më dukej përbindësh. Po sakaq ndalonte menjëherë. Ndalonte në sekondë. Mënyra si të ruante ishte vërtetë fantastike.
Është një pjesë në film ku Vlashin e qëllojnë buzë detit dhe “Kaprolli” afrohet për ta ndihmuar. Si është realizuar kjo skenë?
Ka qenë diçka krejt spontane. Në skenar ishte parashikuar që njëra nga kamerat të ndiqte atentatin ndaj Vlashit dhe tjetra sfondin e pyllit përballë ku shfaqej diku “Kaprolli”. Kur u dëgjuan krismat, unë u rrëzova në ujë. Ashtu duhet të bëja. Sakaq, kali që nuk e dinte “lojën” u shkëput nga vendi ku ishte dhe u afrua këmbë-këmbë për të më ndihmuar. Ishte një skenë e paparashikuar, por e mrekullueshme. Aty për aty mjeshtri Saimir Kokona, duke më thirrur të qëndroja pa lëvizur, nxitoi për ta hedhur në celuloid. Në pak sekonda u xhirua kështu një episod brilant, që nuk kishte nevojë për dubla, siç u thoshim…
Po tjetër ç’u kujton “Pylli i lirisë” dhe kali i Petrit Dumes me të cilin aktruat aty?
Ai ishte filmi i parë me ekran të gjerë me ngjyra. Artdashësi vendës në përgjithësi e mirëpriti. Madje u mirëprit edhe nga publiku i huaj. Vetëm në Beograd na adresuan ndonjë vërejtje.
Çfarë vërejtjeje u bënë në Beograd?
Unë nuk kam qenë gjatë shfaqjes së filmit aty, por kolegët më kanë thënë se u kishte pëlqyer gjetja e subjektit nga vitet e luftës, por kishin vërejtje për “Kaprollin”. Shqipëria, ishin shprehur disa nga kritikët e Beogradit, nuk posedon kuaj të tillë. Ishte e pamundur t’i bindje për historinë e “Kaprollit”, i njohur si kali i Petrit Dumes.
Cili ishte fati i “Kaprollit” dhe Xhemal Koçit pas përfundimit të filmit “Pylli i lirisë”?
Xhemal Koçi përfundimisht u bë pjesë e Kinostudios dhe për disa vite ushtroi profesionin e piroteknikut. “Kaprollin”, me sa më kujtohet, e çuan sërish andej nga kishte ardhur, në internim. Më vonë kam mësuar se e çuan në Stacionin Zooteknik të Shkodrës.