Devi Gjermëni, autori i katërt i përfshirë në organizimin e atentatit ndaj Xhevdet Plakut rezulton jashtë vendit dhe është arrestuar nga autoritetet holandeze për llogari të drejtësisë shqiptare.
Ndërsa njofton zyrtarisht për operacionin, SPAK thekson se po sot është arrestuar në Holandë autori i katërt, ndërsa bashkë me të janë arrestuar Rexhep Rapi, djali i tij, Alger Rapi dhe ish-kryekomisari, Dedan Gjoni.
“Gjithashtu në datën 22.12.2023 është arrestuar në Limburg, Holandë edhe shtetasi nën hetim D.GJ. Arrestimi i D.GJ. u bë si rezultat i bashkëpunimit me autoritetet e Mbretërisë së Holandës dhe Interpol”, sqaron SPAK.
Njoftimi i Prokurorisë së Posaçme:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhanë detaje për operacionin në Durrës, që çoi arrestimin e disa personave nën akuzën e sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer një vrasje. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.19/2022, i cili është regjistruar në bazë të informacioneve të përcjella nga autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Holandës.
Nga veprimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se, shtetasit Rexhep Rapi, Dedan GJ., Alger Rapi në bashkëpunim me shtetasin D.D. (punonjës policie) kanë konsumuar faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer një vrasje, në dëm të shtetasit Xh. P., ngjarje e planifikuar të realizohej më datë 17.09.2019, në Durrës.
Në datën 16.12.2023, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masave të sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj shtetasve nën hetim R.R., D.GJ., D.D. (punonjës policie në atë kohë në DVP Durrës) dhe A.R.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.138 me datë 20.12.2023 ka vendosur:
Caktimin e masave të sigurimit personal të karakterit shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj të hetuarve R.R, D.GJ, D.D. dhe A.R, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xh.P., kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në 22.12.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “arrest ne burg”, për të hetuarit R.R., A.R., dhe D.GJ. Gjithashtu në datën 22.12.2023 është arrestuar në Limburg, Holandë edhe shtetasi nën hetim D.GJ. Arrestimi i D.GJ. u bë si rezultat i bashkëpunimit me autoritetet e Mbretërisë së Holandës dhe Interpol.
Falenderojmë Policinë e Shtetit për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit të gjykatës. Falenderim të veçantë për agjencitë ligjzbatuese të Mbretërisë së Holandës për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e dhënë në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal.