Nënë, motër, bijë deri tek “burri” i shtëpisë, këto janë rolet që ka kryer një 15 vjeçare shqiptare e cila është përplasur nga fatkeqësia në fatkeqësi gjatë jetës.
Rolet që ka luajtur Enila 15 vjeçe nuk janë ato të një aktoreje, por ato të një adoleshenteje që është detyruar të përballet me dhimbje, vuajtje dhe humbjen e disa prej njerëzve të saj më të dashur.
E reja jeton në një fshat të Ballshit, atje ku pak njerëz qëndrojnë ende, në pritje të çfarëdo lloj shansi për t’u larguar. Thuajse të gjitha ato pak banesa që kanë mbetur, janë bosh. Askush nuk jeton më në këtë zonë, të gjithë përpiqen të ikin sa më parë.
Emisioni ‘shqiptarët për shqiptarët’ shkoi në këtë fshat të largët të Shqipërisë, për të takuar 15 vjeçaren jetime. Enila fatkeqësisht e ka humbur të atin, njeriun e saj më të dashur. Sot jeton me të ëmën e sëmurë dhe vëllain e vogël. Ajo tregon vetë se kohë më parë, i ati dhe nëna patën një përplasje të fortë.
Nëna e Enilës u largua nga banesa dhe mori me vetë djalin. Vajza thotë se që prej asaj kohë, ajo e ka humbur plotësisht besimin tek të tjerët… beson vetëm tek i ati, edhe pse ai tashmë nuk më në këtë botë.