Pas caktimit të masës së paraburgimit, të dyshuarit për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani thotë se ende nuk është kategorizuar rasti dhe se të arrestuarit për rastin nuk janë dalluar nga të tjerët.
“Natyrisht deri më tani ata po trajtohen si të gjithë personat e tjerë. Nuk ka asnjë dallim”, deklaroi Dibrani në RTV Dukagjini.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt u ka caktuar nga një muaj paraburgim.
Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla sipas gjykatës ngarkohen me veprat penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Marrëveshja për të kryer veprën penale vrasje e rëndë”.
Burgu i Sigurisë së Lartë është institucion i nivelit të lartë të sigurisë, më standarde Evropiane, është i shtrirë në një hapësire prei 11 hektarësh i përbërë nga sektorë të ndryshëm, ku pjesa e jashtme përbëhet nga objektet e Administratës, kurse në pjesën e brendshme janë te vendosur 3 Pavijone objekti i Vizitave, Stacionari Kuzhina, Lavanteria, Punëtoritë etj. Kapaciteti është 390 shtretër ku secili i dënuar është i vendosur veç në një dhomë ku një dhome ka një hapësirë rreth 9 metër katrorë.
Liridona Ademaj, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e tre personave, në mesin e të cilëve ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.
Rasti i vrasjes së 30-vjeçares është dënuar rëndë në Kosovë dhe më gjerë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur vrasjen si “krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”.
Kryeministri Kurti vrasjen e Liridonës e ka lidhur me femicidin.
“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që rasti të trajtohet me urgjencë.