Ndryshe nga të gjitha herët kur ajo flet për komunikimin apo edhe fusha të tjera, të cilat i njeh dhe i mbulon mjaft mirë, këtë herë Balina Bodinaku kishte ardhur në studion e “Rudina” për të zbuluar më shumë për veten, duke u përballur edhe me pyetje të pazakonta.
Mes të tjerave, ish-opinionistja e “Big Brother VIP”, rrëfeu edhe momentin e saj më të vështirë – periudhën – siç e quajti ajo më pas, duke qenë se nuk është pak, por plot 10 vjet, përmes të cilave ajo ka kaluar jo pak sprova.
Në pyetjen për momentin më të vështirë, Balina tha se, në fakt, nuk ka kaluar. Prej të paktën 10-vjetësh, ajo përballet me një sëmundje për të cilën nuk dha detaje, por tha se është serioze, edhe pse tashmë ajo është mësuar të jetojë me të.
“Momenti më i vështirë në jetën time është momenti kur unë u diagnostikova me një sëmundje të rëndë, ndoshta të pashërueshme, i cili më ndryshoi jetën, më ndryshoi gjithçka në jetën time, është një sëmundje me të cilën vazhdoj luftoj… Ky është momenti më i vështirë.
Por pavarësisht se duket si… okej, është moment i vështirë, nuk është gjë e bukur për të kaluar, unë kam shumë vite që merrem me këtë sëmundje, por brenda së keqes, ka edhe shumë gjëra të mira që fitojmë nga sfida. Unë e quaj një sfidë, e quaj një provë dhe mendoj që nuk jam e vetmja që kaloj prova. Të gjithë i kanë provat e tyre në jetën e tyre. Kjo është ajo që mua më takoi të ndeshem me të dhe brenda saj sigurisht ka shumë mësime.”
Mëson shumë, merr shumë, njeh veten ndryshe, njeh të tjerët ndryshe, sheh veten dhe botën ndryshe. Kupton që nuk ekziston asgjë e pamundur dhe kufijtë nuk janë ata që mendojmë ne që janë, nuk ka kufij.
Është thjesht çështje perceptimi, është thjesht çështje vetëbesimi, është thjesht çështje e të punuarit me veten dhe të dashurit për të parë gjënë e mirë në gjithçka që ndodh, në fund të ditës, jemi në këtë jetë për të kaluar edhe prova dhe pjesë e rritjes sonë si njerëz dhe të qenit ata që ne jemi, kështu si jemi janë edhe provat dhe nuk e shikoj këtë si një dramë, e shikoj si një vështirësi me të cilën punoj”.